Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të sigurojë kompensimin e ushtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) për orët shtesë të punës.
Gjatë deklarimeve jashtë rendit të ditës në seancën e sotme të Kuvendit, Tahiri tha se është e papranueshme që kjo çështje të përfundojë në gjykata, në vend që të zgjidhet nga institucionet përgjegjëse.
“Si ka mundësi që Ministria të mos i kompensojë ushtarët tanë për orët shtesë dhe një çështje e tillë të bëhet subjekt trajtimi në gjykata. Kjo është një situatë e vështirë kur një pjesëtar i uniformuar detyrohet të kërkojë të drejtën e tij në gjykatë, në vend që të mbrohet nga institucioni”, u shpreh Tahiri.
Ai i bëri thirrje Qeverisë dhe ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, që ta trajtojnë seriozisht çështjen dhe të sigurojnë kompensimin e duhur për pjesëtarët e FSK-së.




