Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar 53 civilët shqiptarë të vrarë më 17 prill 1999 në Poklek të Drenicës, duke theksuar se mes viktimave kishte gra, të moshuar dhe fëmijë.
Ai kujtoi se trupat e viktimave u dogjën nga forcat serbe në përpjekje për të fshehur krimin, ndërsa theksoi se sot në Poklek funksionon shtëpia-muze e familjes Muqolli si dëshmi e këtyre ngjarjeve.
Kurti përmendi edhe viktimat në Çikatovë të Vjetër dhe Korroticë të Poshtme, duke nënvizuar se dokumentimi i krimeve dhe ruajtja e kujtesës janë obligim institucional dhe shoqëror.
Sipas tij, krimet e luftës nuk parashkruhen dhe drejtësia për viktimat mbetet kërkesë e vazhdueshme.




