Forca e Sigurisë së Kosovës ka përmbyllur garën ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2026”, e cila u mbajt nga 13 deri më 17 prill me pjesëmarrjen e 44 garuesve nga vende të ndryshme, përfshirë edhe pjesëtarë ndërkombëtarë. Në kategorinë e FSK-së, vendin e parë dhe titullin “Ushtari më i mirë 2026” e fitoi OR2 Elvis Qitaku, ndërsa u renditën edhe Ismail Ahmeti dhe Sead Vesli.
Në kategorinë ndërkombëtare, fitues dolën pjesëtarë nga Shqipëria, me N/Tetar Hil Mala në vendin e parë. Garuesit morën pjesë në disiplina të ndryshme ushtarake si test fizik, qitje, navigim tokësor, ndihmë e parë dhe marshim.
FSK vlerësoi pjesëmarrjen e ushtrive nga vendet e NATO-s dhe partnerëve si dëshmi e ndërveprueshmërisë dhe bashkëpunimit të ngushtë ndërkombëtar në fushën e mbrojtjes.




