Nënkryetari i Komunës së Skenderajt, Fadil Nura, ka marrë pjesë në ceremoninë e rivarrimit të Sinan Dautit në Prekaz, ku ka shprehur dhimbjen për familjen dhe për pritjen 27-vjeçare për gjetjen e trupit të tij.
Ai theksoi se Sinani ishte vetëm nëntë vjeç, një fëmijë me ëndrra dhe një jetë të saponisur, të cilit iu mohua e drejta për të jetuar. Sipas Nurës, zhdukja e tij ishte përpjekje për të fshehur krimin, por e vërteta nuk mund të mbetet e varrosur përgjithmonë.
Në fjalën e tij, ai u shpreh se rikthimi i Sinanit në vendlindje është dëshmi e së vërtetës dhe kujtesë për drejtësinë që ende kërkohet.
Nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, u bë e ditur se identifikimi i mbetjeve mortore në Suhodoll të Mitrovicës erdhi pas një pune të gjatë dhe të përkushtuar për zbardhjen e rasteve të personave të zhdukur.
Në emër të familjes, Anton Dauti falënderoi të gjithë ata që kontribuan në gjetjen e trupit dhe qëndruan pranë familjes në këtë periudhë të vështirë.
Ceremonia u mbyll me nderime dhe homazhe, ndërsa u theksua rëndësia e vazhdimit të kërkimeve për personat e zhdukur dhe vendosjes së drejtësisë.//EO//




