Oda e Avokatëve të Kosovës ka reaguar ndaj zhvillimeve të fundit rreth Provimit të Jurisprudencës, duke bërë thirrje që procesi të mos ndikohet nga përplasjet politike dhe të ruajë standardet profesionale.
Sipas këtij institucioni, debatet e fundit kanë ngritur shqetësime, por pa marrë anë në çështje, theksohet se ky provim është kyç për cilësinë e sistemit të drejtësisë.
Oda kërkon që kandidatët të mos pësojnë pasoja nga mosmarrëveshjet institucionale dhe që vlerësimi të mbetet i pavarur, transparent dhe në përputhje me ligjin.
Në reagim theksohet se çdo ndërhyrje në këtë proces rrezikon të dëmtojë besimin e qytetarëve në drejtësi. Institucionet ftohen të veprojnë me përgjegjësi për të siguruar një proces të drejtë dhe të paanshëm.




