Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, në seancën e Kuvendit ka ngritur shqetësime për gjendjen e sektorit energjetik, duke thënë se pasiguria energjetike përbën kërcënim për sovranitetin dhe pavarësinë e Kosovës.
Ai ka kritikuar qeverinë për vendime që, sipas tij, kanë ndikuar negativisht në këtë sektor, duke përmendur anulimin e projektit për termocentralin “Kosova e Re” dhe humbjen e rastit në arbitrazh.
Tahiri ka thënë gjithashtu se janë ndalur projekte të rëndësishme energjetike, përfshirë gazsjellësin, ndërsa ka ngritur shqetësime për mungesë transparence në investime të reja.
Ai ka folur edhe për rritjen e çmimit të energjisë dhe tenderët njëburimorë në KEK, për të cilat tha se janë nën hetim, duke kërkuar transparencë dhe rikthim të projekteve strategjike për sigurinë energjetike të vendit.




