Dogana e Kosovës, në bashkëpunim me Agjencionin për Pronësi Industriale, Zyrën për të Drejtat e Autorit dhe Agjencinë për Administrimin dhe Konfiskimin e Pasurisë, ka zhvilluar një aktivitet ndërgjegjësues mbi rëndësinë e mbrojtjes së pronësisë intelektuale.
Aktiviteti u mbajt në ambientet e Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj dhe në shkollën fillore “Ilaz Thaqi” në Hani të Elezit, ku morën pjesë studentë dhe nxënës.
Pjesëmarrësit u informuan mbi rolin e pronësisë intelektuale në zhvillimin ekonomik, nxitjen e inovacionit dhe forcimin e sundimit të ligjit. Përfaqësues të institucioneve ndanë shembuj praktikë lidhur me pasojat e shkeljes së të drejtave të autorit dhe rëndësinë e respektimit të tyre në jetën akademike dhe profesionale.
Përmes diskutimeve interaktive, të rinjtë u inkurajuan të kontribuojnë në promovimin e një kulture që respekton kreativitetin, inovacionin dhe ligjshmërinë. Po ashtu, u theksua nevoja për ndërgjegjësim të vazhdueshëm dhe bashkëpunim institucional në luftën kundër falsifikimit dhe piraterisë.
Organizatorët theksuan se edukimi i hershëm për pronësinë intelektuale është i domosdoshëm për ndërtimin e një shoqërie që vlerëson krijimtarinë dhe respektimin e ligjit, duke bërë të ditur se aktivitete të ngjashme do të vazhdojnë edhe në të ardhmen.




