Në Qendrën Ndërkombëtare Trajnuese për Kërkim-Shpëtim (QNTKSH) të Forca e Sigurisë së Kosovës janë realizuar trajnimet për Kërkim-Shpëtim Urban – Niveli Bazik dhe trajnimet për repelim, me pjesëmarrje të institucioneve vendore.
Në këto trajnime morën pjesë përfaqësues nga Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave, Policia e Kosovës, ekipi mjekësor nga Prizreni dhe Policia Ushtarake. Pjesëmarrësit zhvilluan aftësi praktike në kërkim-shpëtim, përdorimin e pajisjeve, teknikat e zbritjes me litar dhe reagimin në situata emergjente.
Trajnimet janë pjesë e përpjekjeve për ngritjen e kapaciteteve kombëtare në bashkëpunim me programin IPA CARE dhe në përputhje me standardet e INSARAG dhe mekanizmat evropianë të mbrojtjes civile.
Synimi është forcimi i gatishmërisë profesionale për reagim efikas në raste fatkeqësish brenda dhe jashtë vendit.




