Rrahman Jasharaj ka paralajmëruar se rënia e numrit të nxënësve në zonat rurale të Kosovës mund të çojë në mbylljen e disa shkollave në të ardhmen, nëse nuk ndërmerren masa konkrete.
Ai theksoi se shkollat në Kosovë ende nuk janë në nivelin e shekullit XXI, pasi mësimi vazhdon të zhvillohet kryesisht përmes teksteve tradicionale dhe mungojnë kushtet moderne që do ta bënin procesin më tërheqës për nxënësit.
“Shkollat e Kosovës nuk janë ato të shekullit XXI, sepse mësimi zhvillohet kryesisht me tekste shkollore dhe, si të tilla, nuk janë ambiente shumë tërheqëse për nxënësit”, deklaroi ai.
Jasharaj shtoi se nevojiten më shumë investime në arsim, në mënyrë që nxënësit të ndjekin mësimin me dëshirë dhe të ketë bashkëpunim më të mirë mes tyre dhe mësimdhënësve.
Sipas tij, megjithëse mësimdhënësit janë të përkushtuar dhe punojnë shumë, rezultatet nuk janë gjithmonë në nivelin e pritur.
“Duhet bërë shumë më tepër që të kemi arsim dhe shkolla më cilësore, ku nxënësit shkojnë me dëshirë dhe bashkëpunojnë me mësimdhënësit. Punëtorët e arsimit janë të përkushtuar, por rezultatet nuk janë ato që duhet të ishin”, u shpreh Jasharaj.




