Seanca plenare e Kuvendit të Shqipërisë ka nisur me një minutë heshtje në nderim të dy fëmijëve të mitur që humbën jetën në aksidentin tragjik të ndodhur një ditë më parë në Durrës.
Pas heshtjes, seanca ka vijuar sipas rendit të ditës, ndërsa kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ashpër duke komentuar ngjarjen e rëndë dhe duke drejtuar kritika ndaj qeverisë.
Aksidenti ndodhi të dielën në zonën ish-Këneta, kur një automjet i drejtuar nga një 57-vjeçar, i cili dyshohet se ishte nën ndikimin e alkoolit, humbi kontrollin dhe përplasi tre fëmijë që po luanin në trotuar. Dy prej tyre, të moshës 10 dhe 12 vjeç, humbën jetën, ndërsa një tjetër mbeti i plagosur rëndë.
Drejtuesi i automjetit është arrestuar nga policia, ndërsa autoritetet po vijojnë hetimet për rastin.




