Ish-deputeti i LVV-së, Haxhi Avdyli, ka deklaruar se kandidimi i Glauk Konjufcës për president kishte ardhur si befasi, duke shtuar se deri në momentet e fundit kishte besuar se bëhej fjalë për një strategji politike të Albin Kurtit. Ai tha se kishte menduar që Konjufca nuk do të kandidohej dhe se mund të kërkohej mbështetje nga LDK-ja, ndërsa një ose dy ditë para nominimit ishte bërë e ditur se ai do të ishte kandidat, së bashku me një emër tjetër formal.
Avdyli theksoi se, sipas tij, Vjosa Osmani kishte mbështetjen më të madhe dhe kishte përfaqësuar Kosovën në mënyrë shumë të mirë, duke shtuar se mosnominimi i saj nuk lidhej me performancën. Ai përshkroi edhe pakënaqësinë brenda deputetëve në momentin e nominimit, duke thënë se shumë prej tyre nuk kishin qenë të informuar dhe ndiheshin të zhgënjyer.




