Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) ka shprehur shqetësim për disa dispozita të Rregullores Nr. 07/2025 për procedurën e pranimit në shërbimin civil, duke vlerësuar se ato cenojnë autonominë funksionale dhe organizative të komunave.
Sipas AKK-së, ndonëse reformat që synojnë profesionalizim, transparencë dhe meritokraci në administratë janë të mirëpritura, ato nuk duhet të çojnë në centralizim të kompetencave apo kufizim të të drejtave kushtetuese të pushtetit lokal. Organizata thekson se komunat nuk mund të trajtohen si njësi të zakonshme administrative, por si nivel kushtetues i vetëqeverisjes lokale me kompetenca të qarta.
Në reagim, AKK ka vënë në pah se shqetësuese janë veçanërisht dispozitat që rrisin kontrollin e nivelit qendror në proceset e rekrutimit dhe kufizojnë rolin e komunave në menaxhimin e stafit drejtues. Sipas tyre, kjo mund të shkaktojë vështirësi në funksionimin e administratës, sidomos në komunat me kapacitete më të kufizuara.
Asociacioni i ka bërë thirrje Qeverisë dhe institucioneve përgjegjëse që të rishikojnë këto dispozita dhe të përfshijnë komunat në procesin e harmonizimit të akteve nënligjore, duke kërkuar respektim të Kushtetutës dhe Kartës Evropiane të Vetëqeverisjes Lokale. AKK ka theksuar se do të vazhdojë të mbrojë autonominë lokale dhe funksionimin efikas të administratës komunale në interes të qytetarëve./EO/




