Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar seancën e shqyrtimit fillestar për një rast penal ndaj 21 të dyshuarve për krime lufte kundër popullsisë civile.
Sipas njoftimit, gjykimi pritet të zhvillohet në mungesë të të pandehurve, pasi ata nuk janë të kapshëm për organet e drejtësisë. Gjykata u ka bërë thirrje të akuzuarve të paraqiten para institucioneve të Kosovës, si dhe qytetarëve që kanë informacione për ta t’i raportojnë ato.
Seanca është caktuar të mbahet më 1 korrik 2026 në Pallatin e Drejtësisë në Hajvali dhe do të udhëhiqet nga gjyqtarja Medie Bytyqi.




