Çmimet e konsumit në Kosovë janë rritur me 7.5 për qind në prill 2026, krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK).
Sipas Indeksit të Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit (IHÇK), inflacioni mujor në prill 2026 ishte 1.1 për qind.
ASK thekson se rritja vjetore e çmimeve është ndikuar kryesisht nga ngritja në këto kategori: transporti (16.1%), strehimi, uji, energjia elektrike, gazi dhe lëndët djegëse (15.2%), restorantet dhe shërbimet e akomodimit (5.8%), ushqimi dhe pijet joalkoolike (5.6%), si dhe kategori të tjera si shëndetësia, kujdesi personal, mobiljet dhe rekreacioni.
Ndërkohë, ulje e çmimeve është regjistruar në informacion dhe komunikim (-0.2%) dhe në arsim (-0.6%).
Sa i përket inflacionit mujor, rritja prej 1.1 për qind është ndikuar kryesisht nga shtrenjtimi i transportit (4.9%), pijeve alkoolike dhe duhanit (1.2%), si dhe disa kategori të tjera, ndërsa rënie është shënuar te kujdesi personal dhe shërbimet e ndryshme.




