Dogana e Kosovës ka evidentuar një rast të mosdeklarimit të mjeteve monetare në Pikën Kufitare në Jarinje.
Sipas njoftimit, gjatë kontrollit të një automjeti në hyrje të Kosovës, zyrtarët doganorë kanë pyetur udhëtarin nëse posedon mallra apo mjete monetare për deklarim, por ai ka deklaruar se nuk kishte asgjë për të paraqitur.
Pas kontrollit të detajuar të automjetit dhe sendeve personale, janë gjetur mjete monetare të padeklaruara në vlerë totale prej 10 mijë e 173 euro e 60 centë, përfshirë euro dhe dinarë serbë, të fshehura në pjesë të ndryshme të automjetit dhe tek personi në fjalë.
Rasti është proceduar tek njësitë kompetente dhe ndaj personit është shqiptuar gjobë administrative. Për rastin janë njoftuar hetuesia e Doganës dhe Prokurori i Shtetit, ndërsa një pjesë e mjeteve monetare mbetet e ndaluar deri në përfundim të hetimeve.
Dogana e Kosovës rikujton qytetarët se deklarimi i mjeteve monetare gjatë hyrjes apo daljes nga territori i Kosovës është obligim ligjor dhe mosrespektimi i tij sjell pasoja administrative dhe ligjore.




