Komisioni Evropian ka miratuar një paketë të re financiare prej 158.9 milionë eurosh për Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.
Sipas njoftimit të KE-së, Shqipëria do të përfitojë 49 milionë euro, Mali i Zi 44.2 milionë euro, ndërsa Maqedonia e Veriut 65.7 milionë euro nga kësti i tretë financiar.
Pagesa lidhet me periudhën e tretë gjashtëmujore të raportimit dhe përfshin reformat e realizuara deri në fund të dhjetorit 2025.
Komisioni Evropian ka vlerësuar pozitivisht reformat në fushën e konkurrueshmërisë së biznesit, inovacionit, arsimit dhe digjitalizimit në vendet përfituese.
Ndërkohë, Kosova dhe disa vende të tjera të rajonit kanë mbetur jashtë përfitimeve të këtij kësti të fundit financiar.
Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor mbulon periudhën 2024-2027 dhe ka vlerë totale prej 6 miliardë eurosh, me synim përshpejtimin e reformave dhe afrimin e rajonit me Bashkimin Evropian.




