Zyra e Prokurorit të Specializuar ka kërkuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës t’iu vazhdohet masa e paraburgimit Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Për tre të akuzuarit, Prokuroria kërkesat i ka bërë ndaras dhe i ka dorëzuar më 26 gusht 2025, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Prokuroria thotë se për Veselin, Selimin dhe Krasniqin nuk ka asnjë zhvillim që nga vendimi i fundit për vazhdimin e paraburgimit, që do të mbështesnin ndërrimin e kësaj mase. Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se kanë kryer krime brenda juridiksionit të DhSK-së, konkretisht për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Sipas Prokurorisë ka mundësi që Veseli, Selimi dhe Krasniqi të arratisen për shkak se janë në dijeni për akuzat e rënda të konfirmuara ndaj tyre, si dhe dënimin e mundshëm që mund të marrin nga to.
Përveç kësaj, Prokuroria pretendon se tre të akuzuarit ka rrezik që të pengojnë procedurat dhe përfundimi i çështjes së Prokurorisë nuk e eliminon këtë rrezik, për shkak se ekziston rreziku që dëshmitarët të pengohen edhe pas dhënies së dëshmisë së tyre, duke i nxitur për tërheqjen e dëshmive.





