Sot, më 30 maj, përfundon afati për aplikim online për akreditimin e vëzhguesve dhe mediave që do të monitorojnë zgjedhjet e 7 qershorit dhe proceset pas ditës së zgjedhjeve, ka njoftuar Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha se aplikimi është i hapur për subjektet politike të certifikuara, OJQ-të vendore dhe ndërkombëtare, organizatat që merren me zgjedhje dhe të drejtat e njeriut, mediat dhe përfaqësuesit e huaj.
Ai theksoi se vëzhgimi i zgjedhjeve është i rëndësishëm për transparencën dhe besueshmërinë e procesit, duke përfshirë të gjitha fazat nga përgatitjet deri te numërimi i votave në qendrat përkatëse.
Sipas KQZ-së, vetëm vëzhguesit e akredituar do të kenë qasje në procesin zgjedhor dhe në Qendrat Komunale të Numërimit dhe Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.




