Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur të rihapë shqyrtimin gjyqësor ndaj Ekrem Bajroviqit, i akuzuar për krime lufte gjatë viteve 1998-1999 në komunën e Istogut dhe zonat përreth.
Kryetari i trupit gjykues, Avni Syla, bëri të ditur se vendimi për rihapjen e procesit është marrë me qëllim të sqarimit të disa rrethanave të paraqitura gjatë shqyrtimit gjyqësor. Për këtë arsye, në cilësinë e të dëmtuarit dhe dëshmitarit do të ftohet sërish Naim Elshani.
Sipas gjykatës, dëshmia e tij konsiderohet e rëndësishme për zbardhjen e plotë të çështjes, ndërsa seanca e ardhshme do të caktohet në një datë tjetër.
Aktgjykimi në këtë rast ishte paraparë të shpallej sot, por gjykata vlerësoi se nevojitet rihapja e shqyrtimit gjyqësor para marrjes së vendimit përfundimtar.
Kujtojmë se më 19 korrik 2024, Gjykata Themelore në Prishtinë e kishte dënuar Ekrem Bajroviqin me 12 vjet burgim për krime lufte të kryera gjatë konfliktit në Kosovë.




