Sindikata e Pavarur e Radio Televizionit të Kosovës (SPRTK) ka shprehur shqetësim për, siç thotë, ndërhyrje në proceset editoriale dhe ushtrimin e kompetencave profesionale të gazetarëve dhe redaktorëve në RTK.
Sipas sindikatës, janë raportuar raste të ndikimit në vendimmarrjen editoriale, presion verbal dhe komunikim të papërshtatshëm ndaj stafit, çka sipas saj cenon pavarësinë editoriale dhe standardet profesionale të transmetuesit publik.
SPRTK ka kërkuar ndërprerjen e menjëhershme të çdo ndërhyrjeje në punën editoriale, garantimin e autonomisë profesionale dhe trajtimin urgjent institucional të këtyre shqetësimeve.
Sindikata ka paralajmëruar edhe veprime sindikale dhe ligjore nëse problemet nuk adresohen nga menaxhmenti dhe Bordi i RTK-së.




