Numri 7 në listën garuese të Lidhjes Demokratike të Kosovës në zgjedhjet e 7 qershorit, Albena Reshitaj, ka reaguar pas kërkesës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës që Kosova të bashkëpunojë në projektet për gazin natyror të lëngshëm amerikan.
Sipas saj, projekte të tilla energjetike janë me rëndësi për Kosovën, sidomos në një periudhë kur vendi përballet me sfida në furnizimin me energji elektrike dhe vazhdon të importojë energji me kosto të lartë.
Reshitaj thekson se një bashkëpunim i tillë do të kontribuonte në diversifikimin e burimeve energjetike dhe në rritjen e sigurisë energjetike të vendit.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës na kanë ftuar sërish dhe konkretisht t’u bashkohemi projekteve amerikane të gazit natyror, gjë që do të na mundësonte diversifikimin e furnizimit me energji. Na ofruan drejtpërdrejt më shumë siguri energjetike”, ka deklaruar ajo.
Ajo shton se Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten aleati më i madh i Kosovës dhe se bashkëpunimi me to është thelbësor për shtetndërtimin dhe sigurinë e vendit.
Në këtë kontekst, Reshitaj pyet se si mund të refuzohet bashkëpunimi me një partner që, sipas saj, ka qenë shtyllë e ruajtjes së stabilitetit dhe integritetit të Republikës së Kosovës.




