Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka falënderuar votuesit dhe qytetarët pas rezultateve të zgjedhjeve, duke e cilësuar këtë proces si një “mundësi të dytë” për partinë që ai drejton.
Ai tha se nga zgjedhjet e dhjetorit deri tani nuk ka kaluar shumë kohë, por për LDK-në ndryshimi ka qenë i madh, duke e përshkruar si kalim “nga një krizë historike drejt një stabiliteti të ri”.
Sipas tij, LDK ka arritur të rikthejë besimin e qytetarëve duke u paraqitur “e vërtetë dhe vetvetja”, ndërsa ka theksuar se partia ka siguruar 20 mandate në këto zgjedhje.
Abdixhiku ka falënderuar edhe aktivistët e partisë, duke thënë se rikthimi i LDK-së është rezultat i punës së tyre dhe se partia do të vazhdojë të zgjerohet dhe të forcohet në të gjithë vendin.
Ai paralajmëroi reforma të brendshme në parti, duke theksuar nevojën për njerëz me vizion dhe angazhim, ndërsa shtoi se nuk do të lejohet “përfitimi individual në dëm të organizatës”.
Duke folur për situatën në vend, Abdixhiku tha se Kosova ka nevojë për stabilitet dhe drejtim të qartë, ndërsa theksoi se LDK ka ndihmuar në krijimin e një “balance demokratike”.
Në fund, ai uroi të gjitha partitë për garën zgjedhore dhe falënderoi qytetarët për mbështetjen dhe urimet e marra, duke thënë se LDK mbetet “shtëpi e përbashkët për të gjithë”.




