Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se sot, duke filluar nga ora 16:00, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR), do të nisë procesi i numërimit të votave të ardhura nga përfaqësitë diplomatike të Kosovës.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, bëri të ditur se votimi fizik jashtë vendit është mbajtur më 6 qershor në 30 përfaqësi diplomatike.
Sipas të dhënave të KQZ-së, nga 27 mijë e 724 qytetarë të regjistruar për votim, të drejtën e tyre e kanë shfrytëzuar rreth 22 mijë e 414 votues, ose afërsisht 81 për qind.
Ndërkohë, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve po vazhdon procesi i verifikimit të pakove të supozuara me fletëvotime nga votimi me postë jashtë Kosovës.
KQZ ka bërë të ditur se nga 23 kuti postare janë tërhequr mbi 85 mijë e 700 pako të supozuara me fletëvotime, të cilat po i nënshtrohen procedurave të verifikimit.




