Këshilli Prokurorial i Kosovës Këshilli Prokurorial i Kosovës ka miratuar kërkesën buxhetore për vitin 2027, si dhe parashikimet për periudhën 2028–2029, duke kërkuar rritje prej mbi 11 milionë euro krahasuar me planifikimet aktuale.
Sipas prezantimit të zëvendëskryesuesit Dardan Vuniqi, kërkesa përfshin shtesa në paga dhe shtesa funksionale për prokurorët dhe stafin, shpenzime për ekspertiza dhe përfaqësime ligjore, si dhe fonde për mirëmbajtje të objekteve gjyqësore, përfshirë Pallatin e Drejtësisë.
Në planifikimin e ri parashihet edhe rritje e stafit nga 969 në 1,150 pozita, si dhe zgjerim i buxhetit për projekte kapitale, përfshirë ndërtimin e objekteve të reja të prokurorive në Prishtinë, Prizren dhe Mitrovicë, si dhe për përmirësimin e infrastrukturës teknologjike.
Buxheti i aprovuar për vitin 2027 kap vlerën rreth 21.1 milionë euro, ndërsa kërkesa e re synon rritje të ndjeshme të tij, kryesisht për shkak të zgjerimit të stafit dhe investimeve infrastrukturore.
Në mbledhje u theksua edhe nevoja për përmirësimin e kushteve të punës në institucionet e drejtësisë, përfshirë mungesën e klimave dhe kushteve adekuate në ambientet e punës gjatë periudhave të nxehta.




