Florie Bajoku, presidente e organizatës MuteFoundation, i është drejtuar me letër të hapur Kryeministrit në detyrë Albin Kurti dhe institucioneve të Kosovës, duke kërkuar ndalimin e përdorimit të rrjeteve sociale për fëmijët nën moshën 16 vjeç.
Ajo u bën thirrje Qeverisë, Ministrisë së Arsimit, si dhe Kuvendit të Kosovës që të ndërmarrin masa për mbrojtjen e fëmijëve nga rreziqet e përdorimit të hershëm të platformave sociale.
Në letrën e saj, Bajoku përmend edhe nisma ndërkombëtare, përfshirë rezolutën e Parlamentit Evropian dhe vendime apo diskutime në disa shtete si Australia dhe Mbretëria e Bashkuar për kufizimin e aksesit të të miturve në rrjete sociale.
Ajo thekson se përdorimi i pakontrolluar i rrjeteve sociale ndikon në shëndetin mendor të fëmijëve dhe lidhet me rritjen e rasteve të ankthit, depresionit dhe bullizmit kibernetik.
Sipas saj, Kosova duhet të ndërmarrë masa urgjente për të mbrojtur fëmijët nga rreziqet e botës online.




