Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar suspendimin e tre zyrtarëve policorë të Stacionit Policor “Alfa” në Prizren, pas dyshimeve për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Hetuesit e IPK-së kanë ndërmarrë veprime fillestare hetimore lidhur me rastin, ku dyshohet se zyrtarët policorë nuk kanë vepruar në përputhje me obligimet e tyre ligjore gjatë ndalimit të disa automjeteve dhe motoçikletave pa regjistrim.
Sipas IPK-së, dyshohet se pas inicimit të procedurave fillestare, zyrtarët nuk kanë vazhduar me masat e parapara ligjore, duke lejuar largimin e kundërvajtësve.
Rasti dyshohet të jetë i ndërlidhur me veprën penale “marrje e ryshfetit”, ndërsa hetimet po zhvillohen në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore.
IPK thekson se masa e suspendimit është rekomanduar për të shmangur ndikimin në procesin hetimor dhe për të garantuar paanshmërinë e tij.




