Administrata e presidentit Donald Trump ka ndërmarrë hapa për të pushuar nga puna afro 500 punonjës të Zërit të Amerikës (VOA), transmetuesi i financuar nga qeveria amerikane, në një përpjekje të re për të mbyllur pjesërisht këtë agjenci, të cilën Shtëpia e Bardhë e ka akuzuar si “radikale”.
Një sindikatë që përfaqëson punonjësit e ka cilësuar këtë hap si të paligjshëm, sipas një deklarate dhënë për New York Times.
Pjesa më e madhe e gazetarëve të Zërit të Amerikës janë në pushim administrativ që nga marsi, përjashtuar disa që raportojnë në gjuhën perse, të thirrur sërish për shkak të konfliktit midis Izraelit dhe Iranit këtë verë.
Kritikët e administratës Trump e konsiderojnë këtë veprim si një sulm të drejtpërdrejtë ndaj lirisë së shtypit ndërsa Shtëpia e Bardhë e ka akuzuar më parë VOA-në si “anti-Trump” dhe “radikale”.




