Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), pas një hetimi disa mujor, më 17.06.2026 ka zbatuar urdhëresën e Gjykatës Themelore në Ferizaj.
Në koordinim me Prokurorinë Themelore në Ferizaj dhe në bashkëpunim me njësitë relevante policore, janë kryer urdhërkontrolle në tre lokacione të ndryshme në rajonet e Prishtinës, Gjilanit dhe Prizrenit.
Operacioni është realizuar me qëllim sigurimin e provave për një rast ku dyshohet se disa persona kanë falsifikuar dokumente të ndryshme në bashkëpunim me njëri-tjetrin.
Gjatë kontrollit janë sekuestruar prova materiale, përfshirë rreth 50 mijë euro para kesh, një veturë, një armë zjarri pa leje, dy shtëpiza kompjuteri, tre telefona mobilë si dhe dokumente të ndryshme (autorizime, kontrata dhe dëshmi), të cilat do të përdoren si prova në rast.
Tre të dyshuar meshkuj shtetas të Kosovës janë arrestuar dhe janë intervistuar në prani të avokatëve mbrojtës. Me vendim të prokurorit, ata janë ndaluar për 48 orë.
Të dyshuarit ngarkohen për veprat penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “falsifikim i dokumenteve” dhe “legalizim i përmbajtjes së rreme”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.




