Në orën 14:30 të së mërkurës, më 17 qershor, ka përfunduar numërimi i të gjitha fletëvotimeve nga votimi me postë jashtë Kosovës. Ndërkaq, numërimi i votave me kusht dhe i personave me nevoja të veçanta është përmbyllur në orën 18:30.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur rinumërimin e 185 vendvotimeve të rregullta, që përbëjnë 7.41% të totalit.
Rinumërimi pritet të nisë të enjten në mëngjes, më 18 qershor, dhe bëhet për të siguruar saktësinë e procesit, pas problemeve të evidentuara në disa qendra komunale të numërimit.
Sipas Elezit, rezultati përfundimtar i zgjedhjeve mund të shpallet pas përfundimit të afatit 48-orësh për ankesa, ose pas vendimmarrjes së institucioneve përkatëse në rast të ankesave.




