Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve ka nisur rinumërimi i fletëvotimeve nga 185 vendvotime të rregullta në të gjithë Kosovën, sipas vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, bëri të ditur se ky numër përfaqëson 7.41 për qind të gjithsej 2,498 vendvotimeve ku është zhvilluar procesi i votimit më 7 qershor.
Sipas vendimit, rinumërimi do të përfshijë vendvotime nga të gjitha komunat, ndërsa në Malishevë do të rinumërohen pesë vendvotime.
Elezi tha se kjo masë është paraparë me rregullore dhe synon të sigurojë saktësinë e procesit të numërimit, duke adresuar problemet e evidentuara në zgjedhjet e kaluara gjatë numërimit të votave për kandidatët për deputetë.




