Ekspozita “Sy me Sy”, e hapur në objektin e Komunës së Prishtinës, solli përmes fotografive të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës dhe familjarëve të tyre rrëfime të dhimbshme për përjetimet, traumën dhe sfidat me të cilat janë përballur për vite me radhë, nën hijen e stigmatizimit.
Vanesa Sylejmani, vajza e një të mbijetuare të dhunës seksuale gjatë luftës, ndau historinë e saj personale, duke theksuar nevojën që familjarët dhe fëmijët e viktimave të mos heshten më për përvojat e tyre. Ajo tha se dhimbja dhe trauma duhet të shndërrohen në zë dhe forcë për t’u dëgjuar dhe pranuar nga shoqëria.
Kryetarja e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), Feride Rushiti, tha se ekspozita pasqyron dhimbjen, forcën dhe qëndrueshmërinë e të mbijetuarve, duke kujtuar edhe viktimat që nuk jetojnë më.
Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, vlerësoi se personat që përjetuan dhunë seksuale gjatë luftës janë pjesë e historisë së shtetësisë së Kosovës dhe theksoi se autorët e këtyre krimeve duhet të përballen me drejtësinë. Ajo shtoi se shoqëria duhet t’i trajtojë të mbijetuarit me respekt dhe mirënjohje për forcën dhe dinjitetin e tyre.
Ekspozita është mbështetur nga ambasadat e Britanisë së Madhe dhe Gjermanisë në Kosovë.




