Zhvillimi i sektorit të gazit natyror po shihet si një nga projektet kryesore energjetike për Kosovën në vitet e ardhshme, në kuadër të përpjekjeve për diversifikimin e burimeve dhe rritjen e sigurisë energjetike.
Sipas Strategjisë së Energjisë 2022–2031, vendi planifikon për herë të parë ndërtimin e infrastrukturës për transmetimin dhe shpërndarjen e gazit natyror, duke u lidhur me rrjetet rajonale dhe tregun evropian të energjisë.
Furnizimi me gaz parashikohet të realizohet përmes interkoneksioneve me shtetet fqinje dhe lidhjes me Gazsjellësin Trans-Adriatik (TAP), si dhe përmes terminaleve rajonale të gazit të lëngshëm (LNG).
Autoritetet vlerësojnë se ndërtimi i kësaj infrastrukture mund të zgjasë nga shtatë deri në nëntë vjet, ndërsa pas funksionalizimit gazi do të përdoret për prodhimin e energjisë elektrike, industrinë dhe ngrohjen.
Ky projekt shihet edhe si hap i rëndësishëm drejt integrimit energjetik rajonal dhe modernizimit afatgjatë të sektorit energjetik në Kosovë.




