Kandidati i PDK-së për deputet, Bekim Haxhiu, ka dorëzuar ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), duke kërkuar rinumërimin e të gjitha votave të kandidatëve të Partisë Demokratike të Kosovës.
Ai ka theksuar se kërkesa e tij bazohet në gjetjet e procesit të rinumërimit nga KQZ, ku sipas tij janë evidentuar pasaktësi në numërimin fillestar të votave.
Haxhiu tha se rinumërimi i 185 vendvotimeve ka treguar gabime dhe se edhe ndryshime të vogla në vota mund të ndikojnë në rezultatin përfundimtar, duke marrë parasysh diferencat e ngushta mes kandidatëve.
Ai kërkoi që të bëhet verifikim i plotë i votave të kandidatëve të PDK-së, me qëllim garantimin e saktësisë së rezultatit dhe respektimin e vullnetit të qytetarëve.




