Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka bërë thirrje për organizimin e një proteste demokratike në mbështetje të projektit të Gazit të Lëngshëm Natyror (LNG) me prejardhje amerikane, si dhe për ruajtjen e aleancës së Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Sipas Hotit, Qeveria e Kosovës po vazhdon të refuzojë projektin, pavarësisht kërkesave të përsëritura nga zyrtarë amerikanë, duke rrezikuar, siç ka thënë ai, përfshirjen e vendit në një projekt rajonal me rëndësi strategjike.
Ai ka theksuar se projekti buron nga Marrëveshja e Uashingtonit e 4 shtatorit 2020 dhe ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje si kundërshtuesen kryesore të tij.
Hoti ka deklaruar se arsyetimet e Qeverisë për refuzimin e projektit janë kryesisht ekonomike, por sipas tij ato nuk qëndrojnë. Ai vlerëson se projekti i gazit amerikan është në përputhje me strategjinë energjetike të Kosovës dhe do të ndihmonte në diversifikimin e burimeve të energjisë dhe rritjen e sigurisë së furnizimit.
Sipas tij, refuzimi i projektit po sjell pasoja ekonomike për qytetarët dhe bizneset, duke theksuar se gjatë katër viteve të fundit janë shpenzuar qindra miliona euro për import të energjisë elektrike.




