Kandidati për deputet nga PDK-ja, Qëndrim Kryeziu, ka dorëzuar ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), duke kërkuar rinumërimin e plotë të votave të kandidatëve të kësaj partie.
Ai tha se kërkesa nuk lidhet me pakënaqësi ndaj rezultatit zgjedhor, por me gjetjet e evidentuara gjatë procesit të rinumërimit të deritanishëm të zhvilluar nga KQZ-ja.
Sipas Kryeziut, rinumërimi i 185 vendvotimeve ka zbuluar pasaktësi në numërimin fillestar, ndërsa atij i janë shtuar 589 vota. Ai vlerëson se këto dallime mund të ndikojnë drejtpërdrejt në rezultatin përfundimtar dhe për këtë arsye kërkon verifikimin e të gjitha votave të kandidatëve të PDK-së.
Kryeziu theksoi se vetëm një rinumërim i plotë mund të garantojë që mandati parlamentar t’i takojë kandidatit që ka marrë mbështetjen e qytetarëve.
Ai kërkoi nga PZAP-i që ankesa të shqyrtohet në mënyrë të paanshme, duke theksuar se integriteti i procesit zgjedhor varet nga transparenca, ligjshmëria dhe numërimi i saktë i çdo vote.
Kryeziu gjithashtu krahasoi situatën aktuale me zgjedhjet e kaluara, duke pretenduar se edhe atëherë kishte pasur mospërputhje në numërimin e votave, prandaj kërkon që çdo votë të verifikohet dhe të reflektojë vullnetin e qytetarëve.




