Një aksident i rëndë në vendin e punës i ka marrë jetën 24-vjeçarit Valmir Morina nga fshati Drenoc i Malishevës.
Ngjarja tragjike ka ndodhur paraditen e së hënës në lagjen Arbana të Prizrenit, ku, sipas informacioneve fillestare, i riu dyshohet se është goditur nga një vinç gjatë kryerjes së detyrave të punës. Pavarësisht ndihmës së ofruar menjëherë pas aksidentit, ai nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve të marra.
Vdekja e tij ka pikëlluar familjarët, miqtë dhe bashkëfshatarët. Valmiri ishte djali i vetëm i familjes dhe mbështetja kryesore e saj, pasi babai i tij kishte ndërruar jetë disa vite më parë pas një sëmundjeje të rëndë.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet e Policisë së Kosovës dhe organet kompetente hetimore, të cilat po zhvillojnë hetimet për të sqaruar rrethanat e plota të aksidentit.
Familjes Morina, të afërmve dhe miqve të të ndjerit u shprehim ngushëllimet më të sinqerta për humbjen e tyre.




