Qeveria në detyrë e Kosovës ka miratuar një vendim për ndarjen e 3 milionë eurove, të cilat do të shfrytëzohen për mbulimin e policës kufitare, të njohur si Kartoni i Gjelbër, për mërgimtarët që vijnë në Kosovë gjatë sezonit veror.
Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, tha se fondet janë paraparë në kuadër të masës për mbështetjen e mërgatës nga Pakoja e Ringjalljes Ekonomike dhe do të zbatohen duke filluar nga muaji korrik.
Sipas tij, mbështetja do të vlejë për bashkatdhetarët që hyjnë në Kosovë me automjete për vizitë ose qëndrim gjatë periudhës verore.
Në mbledhjen e Qeverisë u miratuan edhe pika të tjera të rendit të ditës, përfshirë nismën për lidhjen e një marrëveshjeje granti për forcimin e sistemit shëndetësor në Kosovë, si dhe ndarjen e mjeteve buxhetore për realizimin e disa projekteve kapitale në Mitrovicë, Shtime, Pejë dhe Podujevë.




