Ish-ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj, ka reaguar ndaj mungesës së Kosovës në Samitin e NATO-s, duke e cilësuar këtë si një “deficit diplomatik”.
Duke komentuar sqarimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Haradinaj tha se Kosova nuk arriti të sigurojë një prani politike në aktivitetet e samitit dhe se kjo nuk duhet të normalizohet.
Në një reagim në Facebook, ajo kritikoi arsyetimin se Kosova nuk merr pjesë në samitet e NATO-s për shkak se nuk është anëtare e aleancës apo pjesë e Partneritetit për Paqe.
Haradinaj rikujtoi se në vitin 2024 presidentja Vjosa Osmani kishte marrë pjesë në aktivitetet e Samitit të NATO-s me ftesë të zyrtarëve të lartë amerikanë, pavarësisht se Kosova nuk kishte status tjetër nga ai që ka sot.
Sipas saj, problemi nuk qëndron te statusi i Kosovës, por te pesha diplomatike dhe aftësia për të siguruar mbështetje politike e ndërkombëtare.
Ajo vlerësoi se diplomacia aktive dhe angazhimi në agjendat globale mund të krijojnë mundësi për Kosovën që të jetë e pranishme në forume ku merren vendime strategjike.
“Do të ishte më e ndershme të pranohej se këtë herë Kosova nuk arriti të sigurojë një prani politike në aktivitetet e samitit. Kjo nuk është turp. Turp është të paraqitet mungesa dhe paaftësia si normalitet”, ka deklaruar Haradinaj.




