Me rastin e Ditës Ndërkombëtare kundër Torturës, Avokati i Popullit, Naim Qelaj, së bashku me drejtoreshën e Mekanizmit Kundër Torturës, Shqipe Ibraj Mala, kanë vizituar Qendrën Edukuese Korrektuese për të Mitur në Lipjan.
Delegacioni u prit nga ushtruesi i detyrës së drejtorit të qendrës, Fitim Bërbatovci, me të cilin u diskutua për kushtet e akomodimit, trajtimin e të miturve dhe sfidat e stafit në punën e përditshme.
Avokati i Popullit theksoi se të miturit e privuar nga liria duhet të trajtohen me dinjitet, respekt dhe humanizëm, në përputhje me standardet vendore dhe ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.
Ai shtoi se përgjegjësia institucionale nuk kufizohet vetëm në siguri, por përfshin edhe edukimin, mbrojtjen dhe rehabilitimin e tyre për riintegrim në shoqëri.
Shërbimi Korrektues i Kosovës rikonfirmoi përkushtimin për respektimin e të drejtave të personave të privuar nga liria dhe trajtimin dinjitoz në të gjitha institucionet korrektuese.




