Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha, ka bërë të ditur se ka zhvilluar një takim me ministrin në detyrë të Punëve të Jashtme të Kosovës, Glauk Konjufca, në kuadër të Forumit të Dubrovnikut në Kroaci.
Përmes një postimi në rrjetin social X, Hoxha tha se gjatë takimit kanë diskutuar për zhvillimet politike në Shqipëri dhe Kosovë, situatën në rajon, si dhe dinamikat evropiane me interes të përbashkët për të dy vendet.
Ai theksoi se, në kohën kur Kosova po analizon rezultatet e zgjedhjeve për krijimin e institucioneve të reja, ndërsa Shqipëria ka hyrë në fazën përfundimtare të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, bashkëpunimi dhe koordinimi i ngushtë mbeten thelbësore.
“Shkëmbimi i ideve, analizave dhe qasjeve, si dhe koordinimi i ngushtë për forcimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit, mbeten çelësi për avancimin e interesave tona reciproke dhe të përbashkëta”, ka shkruar Hoxha.
Ai shtoi se veprimi i përbashkët dhe një vizion i qartë për të ardhmen do të ndihmojnë në forcimin e lidhjeve mes Shqipërisë dhe Kosovës, duke kontribuar në zhvillimin, sigurinë dhe integrimin evropian të të dyja vendeve.
Sipas tij, ky bashkëpunim përbën një investim të rëndësishëm edhe për forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe për të ardhmen e përbashkët euroatlantike të shqiptarëve.




