Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa, ka zgjeruar aktivitetin e saj kulturor duke hapur bibliotekën e parë fizike, duke e çuar pasionin për letërsinë në një nivel të ri.
Që nga viti 2023, ajo ka promovuar leximin përmes klubit të saj të librit “Service95”, ndërsa tani ka realizuar një projekt të ri të titulluar “Manifesto Library” (Biblioteka e Manifestit), e cila hapet në kuadër të festivalit ndërkombëtar të librit BABELL – City of Books.
Biblioteka është vendosur brenda librarisë historike “Livraria Lello” në Porto të Portugalisë dhe do të jetë një hapësirë e përhershme kulturore.
Në një deklaratë, Dua Lipa e ka cilësuar projektin si “partneritet ëndrrash”, duke theksuar se synimi i saj është promovimi i leximit dhe i shkrimtarëve nga e gjithë bota.
Ajo ka bërë të ditur se në bibliotekë do të ekspozohen rreth 100 libra që trajtojnë tema të pushtetit, kontrollit, zërit dhe kujtesës, përfshirë vepra që shpesh janë diskutuar ose ndaluar për temat e tyre sociale dhe politike.




