Një banesë në Prishtinë është përfshirë nga zjarri në orët e para të mëngjesit në rrugën “Isa Kastrati”, në zonën e Parkut të Qytetit.
Sipas Drejtorit për Siguri dhe Emergjenca në kryeqytet, Lulzim Fushtica, zjarri është lokalizuar, ndërsa në vendin e ngjarjes janë angazhuar ekipet e zjarrfikësve, policia dhe shërbimet emergjente.
Nga ky incident janë lënduar dy qytetarë, njëri prej tyre një fëmijë 5-vjeçar, i cili është dërguar për trajtim mjekësor. Po ashtu, ndihmë mjekësore kanë kërkuar edhe pesë zjarrfikës, të cilët kanë pësuar lëndime të lehta gjatë intervenimit.
Fushtica ka bërë të ditur se është ende herët të përcaktohen shkaqet e zjarrit, duke shtuar se hetimet do të nisin pasi të përfundojë shuarja e plotë e flakëve dhe të dalin në terren ekipet përkatëse hetimore.
Edhe komandanti i Brigadës së Zjarrfikësve në Prishtinë, Mal Gashi, ka thënë se situata është nën kontroll dhe se ekipi është në fazën përfundimtare të intervenimit. Ai ka theksuar se vështirësi në shuarje kanë paraqitur mbindërtimet dhe temperaturat e larta brenda objektit./EO/




