Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka marrë pjesë në ceremoninë hapëse të edicionit të shtatë të Olimpiadës Matematike Kosovë–Shqipëri (KAMO 2026), e cila po mbahet në Prizren.
Në fjalën e saj, Haxhiu tha se Prizreni mbart një histori të pasur dhe se në këtë qytet po ndërthuren edhe idetë e së ardhmes përmes nxënësve që garojnë në dije, përqendrim dhe këmbëngulje.
Ajo theksoi se matematika i mëson të rinjtë të mendojnë me kujdes, të mos dorëzohen para sfidave dhe të kërkojnë zgjidhje përmes arsyetimit dhe punës së vazhdueshme.
Sipas saj, pjesëmarrja në këtë olimpiadë tregon talent, disiplinë dhe mbështetje nga mësuesit dhe familjet, duke shtuar se çdo nxënës pjesëmarrës është tashmë fitues për shkak të rrugës që ka përshkuar.
Haxhiu vlerësoi se KAMO bashkon Kosovën dhe Shqipërinë përmes arsimit dhe dijes, duke falënderuar organizatorët, mësuesit dhe prindërit për kontributin e tyre në zhvillimin e talentëve të rinj.




