Në Varrezat Monumentale “Trëndafilat e Çamërisë” në Kllogjer, Bashkia Konispol dhe Shoqata Çamëria kanë organizuar aktivitet përkujtimor me rastin e 82-vjetorit të gjenocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë.
Në ceremoni morën pjesë përfaqësues institucionesh, komuniteti çam dhe qytetarë të shumtë, duke e kthyer këtë ditë në moment reflektimi dhe bashkimi.
Deputeti i Partisë Socialiste, Ardit Bido, theksoi rëndësinë e kujtesës historike dhe rrugëtimin e komunitetit çam për ruajtjen e çështjes së tyre ndër vite. Ai u shpreh se përmes dekadave është arritur që 27 qershori të njihet si ditë e gjenocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë dhe që kujtesa historike të ruhet përmes aktiviteteve përkujtimore.
Edhe kryetari i Bashkisë Konispol, Ergest Dule, tha se përkujtimi i kësaj dite nuk lidhet me hakmarrje, por me ruajtjen e kujtesës historike dhe transmetimin e saj te brezat e rinj, si një akt bashkimi dhe jo ndarje.




