Ministrja në detyrë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, ka deklaruar se çdo vendim për vendosjen e laurës në rrugën për në Prevallë do të merret vetëm pas konsultimeve me banorët dhe palët e interesit.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, ajo tha se ka përcjellë shqetësimet e banorëve të Prevallës dhe zonave përreth, duke theksuar se çështja e menaxhimit të qarkullimit do të trajtohet në bashkëpunim me komunitetin.
“Nuk ka nevojë për protestë. Asnjë vendim nuk do të merret pa dialog me banorët dhe palët e interesit”, ka shkruar Pacolli.
Ajo bëri të ditur se gjatë javës së ardhshme do të zhvillojë një takim me banorët për të dëgjuar shqetësimet dhe propozimet e tyre. Reagimi i saj vjen pas kundërshtimeve të shprehura lidhur me vendosjen e një laure në hyrje të rrugës për në Prevallë.




