Disa persona janë shoqëruar në polici gjatë shënimit të Vidovdanit në Gazimestan, ku serbë nga Kosova, Serbia dhe vende të tjera të rajonit u mblodhën për të përkujtuar Betejën e Kosovës të vitit 1389.
Gjatë ceremonisë, Policia e Kosovës kishte shtuar masat e sigurisë dhe në hyrje u shpërndau vizitorëve një njoftim ku paralajmërohej se nuk do të toleroheshin simbole apo veprime që nxisin urrejtje ndëretnike, fetare ose politike.
Sipas njoftimeve, disa nga pjesëmarrësit brohoritën slogane dhe kënduan këngë me përmbajtje nacionaliste, ndërsa Lista Serbe deklaroi se disa serbë u shoqëruan në polici pa u dhënë shpjegime me shkrim për ndalimin e tyre.
Deri tani, autoritetet e Kosovës nuk kanë dhënë detaje zyrtare lidhur me rastin.
Vidovdani është festë fetare dhe kombëtare për serbët, ndërsa çdo vit shënohet në Gazimestan nën masa të shtuara sigurie, për shkak të tensioneve që shpesh shoqërojnë këtë ngjarje.




