FC Malisheva ka vazhduar përforcimin e skuadrës për edicionin e ri, duke zyrtarizuar transferimin e portierit boshnjak, Adnan Kanuric.
Klubi njoftoi se ka arritur marrëveshje me 24-vjeçarin, i cili do të mbrojë portën e nënkampionëve të Kosovës në sezonin e ardhshëm.
Sipas klubit, Kanuric sjell përvojë të konsiderueshme ndërkombëtare, pasi gjatë karrierës së tij ka qenë pjesë e skuadrave të njohura si Stoke City, Nottingham Forest, FK Sarajevo dhe Palermo. Së fundmi, ai ka luajtur te Austria Klagenfurt.
Me përvojë nga kampionatet e Anglisë, Sllovakisë, Bosnjës, Italisë dhe Austrisë, Kanuric pritet të jetë një përforcim i rëndësishëm për Malishevën.
Kujtojmë se Malisheva e përfundoi sezonin e kaluar në vendin e dytë në Superligën e Kosovës, duke siguruar pjesëmarrjen në kualifikimet e Conference League, ku në raundin e parë do të përballet me Vllazninë e Shkodrës.




