Gjykata Supreme e Kosovës ka hedhur poshtë si të palejuar padinë e Ministrisë së Drejtësisë ndaj Odës së Avokatëve të Kosovës (OAK), lidhur me tarifat e regjistrimit.
Sipas vendimit, padia e paraqitur më 12 qershor 2026 përmes Avokaturës Shtetërore është konsideruar e paqartë dhe jashtë kompetencës së Gjykatës Supreme për shqyrtim. Pas plotësimeve të bëra nga Ministria më 18 qershor, gjykata ka vlerësuar se akti i kontestuar nuk përbën akt nënligjor normativ, prandaj nuk plotëson kushtet ligjore për trajtim.
Gjykata thekson se kompetenca e saj lidhet vetëm me revizione dhe paditë për shfuqizimin e akteve nënligjore normative, gjë që nuk është rasti konkret.
Pas vendimit ka reaguar OAK, duke deklaruar se aktet e saj nuk mund të vihen në diskutim nga organe që, sipas saj, veprojnë jashtë kompetencave ligjore.




