Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, i ka dorëzuar Kryetares së Kuvendit të Kosovës, njëherësh U.D. Presidentes Albulena Haxhiu, Raportin Vjetor të BQK-së për vitin 2025.
Sipas njoftimit të BQK-së, raporti pasqyron aktivitetet, zhvillimet dhe rezultatet e institucionit në përmbushje të mandatit ligjor dhe kushtetues për ruajtjen e stabilitetit financiar, forcimin e integritetit të sistemit financiar, mbrojtjen e interesit publik dhe sigurimin e qëndrueshmërisë institucionale.
Në takim u diskutuan gjithashtu reformat dhe iniciativat kryesore të realizuara gjatë vitit, përfshirë avancimin e kornizës makroprudenciale dhe mbikëqyrëse, harmonizimin e rregullativës me standardet e Bashkimit Evropian, zhvillimin e sistemit të pagesave dhe përgatitjet për anëtarësim në SEPA si proces ndërinstitucional.
Po ashtu u theksua avancimi i projektit TIPS Clone, si dhe forcimi i mbrojtjes së konsumatorëve, edukimit financiar dhe gjithëpërfshirjes financiare në vend.




