Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) ka shprehur shqetësim dhe kundërshtim ndaj vendimit të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), duke pretenduar se Granti i Performancës Komunale është ulur nga 4 milionë në 2 milionë euro.
Sipas AKK-së, shuma prej 4 milionë eurosh është miratuar nga Kuvendi i Kosovës përmes Ligjit për Ndarjet Buxhetore 2026 dhe nuk mund të ndryshohet pa një rishikim formal të buxhetit nga Kuvendi.
Në reagimin e saj, AKK thekson se Kuvendi është institucioni i vetëm që ka mandat për të miratuar dhe ndryshuar ndarjet buxhetore, ndërsa asnjë ministri nuk mund të përgjysmojë fondet e miratuara me ligj.
Organizata e komunave vlerëson se një veprim i tillë cenon sigurinë juridike dhe financiare të komunave, si dhe autonominë e tyre financiare.
AKK ka kërkuar rikthimin e menjëhershëm të shumës prej 4 milionë eurosh, ndalimin e çdo veprimi administrativ që bie ndesh me ligjin dhe respektimin e vendimeve të Kuvendit të Kosovës.
Po ashtu, AKK ka paralajmëruar se në bashkëpunim me komunat do të ndërmarrë veprime institucionale dhe juridike për mbrojtjen e interesave të komunave dhe zbatimin e ligjit




